Kultivimi i Domates

Kultivimi i domates në mjedise të mbrojtura është një proces mjaftë kompleks dhe delikat, i cili kryhet nëpërmjet aplikimit korrekt të një sërë ndërhyrjesh agronomike, të tilla si përgatitja e tokës për mbjellje dhe mbjellja e bimëve, përcaktimi i dendësisë së mbjelljes, krasitja, programimi i formimit të frytit të parë, heqja e gjetheve, polenizimi, optimizmi i madhësisë së frutave, trajnimi i bimëve, të ushqyerit, vjelja dhe koha e vjeljes. Rritja e përqendrimit të CO2 deri në 1000 ppm, është një rrugë efektive e kompensimit të ndriçimit të kufizuar dhe maksimizimit të prodhimit të hershëm.


Në ditët me diell, pa shtuar CO2 artificialisht, bimët e domates ulin përqendrimin e CO2 në serrë deri në 250 ppm. Për çdo 100 ppm CO2 të shtuar artificialisht mbi këtë nivel (250 ppm) ekziston mundësia potenciale për të rritur prodhimin me 2.6 kg/m². Problem është se pasurimi i serrave me CO2 në verë është i kushtueshëm, nëse dritaret e serrave janë të hapura, për arsyen e thjeshtë se ai do të largohej në atmosferë.Punimet e tokës duhet të jenë të thella, 30-40cm, me qëllim që të përmbysen në thellësi shtresat sipërfaqësore të saj, me strukturë fizike të dëmtuar e të ngopur me rezerva dimëruese të parazitëve të bimëve dhe kripëra, për t’i zëvendësuar me shtresat që gjenden më në thellësi.


Punimet e para të thella të tokës pasohen nga një ose disa punime sipërfaqësore, të cekëta, frezime, lesime, nivelime etj., deri në formimin e një shtrati rrënjor të përshtatshëm. Pak ditë para fillimit të mbjelljes, bëhet një ujitje me doza relativisht të larta uji dhe më pas toka lihet në gjendje të tillë, në mënyrë që në kohën e mbjelljes përmbajtja e ujit në tokë të jetë 70-80 % e aftësisë së saj ujëmbajtëse. Fidanët vendosen në largësitë e përllogaritura të bimëve në rresht, rrafsh me sipërfaqen e tokës. Nëse toka është e mulçiruar, paraprakisht çahen fletët plastike në formë rrethore ose të rrumbullakët. Menjëherë pas mbjelljes, bëhet një ujitje, me doza të vogla uji (0.5-1 litër për bimë), për të siguruar lidhje të shpejtë të bimëve me tokën