Kultivimi i Kastravecit

Përgatitja e tokës për mbjellje dhe mbjellja. Një tokë e përgatitur mirë është esenciale për rritjen normale të kastravecit. Punimi i tokës bëhet menjëherë pas shkuljes së parabimës, në thellësinë 30-35 cm. Pak kohë përpara mbjelljes bëhet punimi i dytë, dhe nëse është nevoja edhe punime të tjera sipërfaqësore. Përpara punimeve sipërfaqësore, në varësi nga natyra dhe shkalla e infeksioneve të sëmundjeve, apo dëmtuesve në tokë dhe mundësitë konkrete, bëhet dezinfektimi i tokës me mënyra termike (trajtimi me avuj uji, diellëzimi), ose kimike.


Shtrati ku mbillet kastraveci ngrihet lehtësisht, për të lejuar krijimin e vllajave. Përgatitja e tokës në këtë mënyrë është shumë e rëndësishëm në mbjelljet e hershme, tokat e rënda, të ftohta dhe me ujëra nëntokësore të cekëta, si edhe në tokat e rënda. Pas kësaj përgjatë vllajave shtrihen tubat e ujitjes dhe më pas toka mbulohet me fletë plastike për të minimizuar evapotranspirimin dhe për të parandaluar ngritjen e kripërave në sipërfaqe.


Mbjellja e fidanëve, në distancat e përcaktuara midis tyre, bëhet rrafsh, ose pak mbi sipërfaqen e tokës. Mbjellje të thella do ta vendosnin sistemin rrënjor të bimëve në shtresa ku temperatura e tokës është më e ulët dhe në këtë mënyrë do të zvogëlohej intensiteti i rritjes së sistemit rrënjor të bimëve dhe rriteshin mundësitë e prekjes së tij nga sëmundjet kërpudhore shkaktarët e të cilave jetojnë në tokë.


Menjëherë pas mbjelljes bëhet ujitja e bollshme e bimëve, për të realizuar lidhjen e shpejtë dhe uniforme të tyre me tokën.